Quentin Blake është një nga ilustruesit më të njohur britanikë të letërsisë për fëmijë. Ai është veçanërisht i famshëm për bashkëpunimin e tij të gjatë me shkrimtarin Roald Dahl, duke u dhënë jetë personazheve të paharrueshme të librave si “Matilda”, “Çarli dhe fabrika e çokollatave” etj. Gjatë karrierës së tij ka ilustruar mbi 500 libra, duke bashkëpunuar me autorë të njohur si Roald Dahl, Michael Rosen, Russell Hoban etj.
Blake ka bashkëpunuar me shkrimtarin David Walliams për dy libra “Djali me fustan” dhe “Zotni Qelbashi”.
Stili i tij artistik është lehtësisht i dallueshëm përmes vizatimeve me penë, ngjyrave dhe personazheve plot humor e gjallëri.
Në vitin 1999 u bë laureati i parë britanik i letërsisë për fëmijë, ndërsa në vitin 2002 mori çmimin ndërkombëtar “Hans Christian Andersen” për ilustrim. Është nderuar gjithashtu me medaljen “Kate Greenaway” dhe shumë çmime të tjera.
Quentin Blake mbetet një figurë frymëzuese e ilustrimit botëror dhe një artist që ka shoqëruar breza të tërë fëmijësh në zbulimin e magjisë së leximit.