Historia e një prej familjeve më të njohura në historinë financiare të Evropës. Përmes një vështrimi historik mbi disa breza, autori na njeh me rrugëtimin e familjes Rothschild nga origjina e saj në Frankfurt drejt qendrave kryesore financiare të Evropës, ku ajo ndërtoi një rrjet të gjerë bankar dhe krijoi lidhje me oborret mbretërore, qeveritë dhe qarqet tregtare.
Për familjen Rotshild rreken mite dhe legjenda të panumërta. Por edhe sikur t’i heqim të gjitha thashethemet, prapëseprapë një gjë nuk ndryshon: Ngritja unike e një familjeje të madhe në Frankfurt për t’u bërë fuqia e parë financiare e Europës.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet mënyrës se si brezat e njëpasnjëshëm ruajtën dhe zgjeruan trashëgiminë familjare në një Evropë të lodhur nga luftërat, ndryshimet politike dhe transformimet ekonomike. Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII Majer Amshel Rotshild, themeluesi i dinastisë Rotshild, arriti të ngrinte një biznes të lulëzuar për tregtimin e monedhave dhe për kambizëm. Që herët ai arriti të vendoste kontakte me familjet fisnike gjermane duke realizuar më në fund të gjitha transaksionet e tyre financiare në të gjithë Europën. Pas vdekjes së Majer pesë djemtë e tij do ta zgjeronin bankën duke krijuar filiale të saj në Frankfurt, Londër, Paris, Vjenë dhe Napoli. Deri në Luftën e Parë Botërore Rotshildët ishin jo vetëm banka private më e rëndësishme në botë, por krijuan edhe një sipërmarrje komplekse që operonte në shumë vende të tjera.
Egon Caesar Conte Corti me mjeshtëri hedh dritë si mbi aferat financiare të huave shtetërore dhe të administrimit të pasurive ashtu dhe mbi ndërlidhjet familjare dhe kontaktet me politikanët dhe monarkët të kohës së tyre – një kronikë familjare unike, që në të njëjtën kohë tregon se si pasuria mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në politikë.
Një klasik për dinastinë më të famshme të bankierëve në botë, historia se si një familje arriti të ndërtojë një emër që vazhdon të ngjallë interes edhe sot.
Egon Caesar Conte Corti (lindi në1886 në Agram, sot Zagreb, vdiq në 1953 në Klagenfurt) vinte nga një derë e vjetër fisnike e Lombardisë. Në fillimet e tij ishte oficer në ushtri, por pas humbjes së Luftës së Parë Botërore në vitin 1918, filloi të shkruante vepra biografike. Ai do i përkushtohej sidomos historisë së shekullit XIX dhe u bë specialist i veprave biografike për personalitetet e aristokracisë së lartë evropiane.
Librat e Cortit nuk përmbajnë vetëm pasazhe të shumta origjinale nga gazetat e kohës, por edhe të dhëna nga burime historike unike: Corti është i vetmi autor që familje të ndryshme fisnike e lejuan - sepse e shihnin si të sërës së tyre- të hulumtonte në arkivat e tyre private, shumë prej të cilave u shkatërruan gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Megjithëse Corti ishte thellësisht i orientuar nga monarkia dhe ishte martuar me një grua hebreje, ai ishte anëtar i “Volksbund-it” të themeluar në vitin 1937, që shërbente si organizatë maskimi e NSDAP-së (partia naziste), që asokohe ishte ilegale në Austri.