Një histori që fëmijët nuk e harrojnë lehtë
“Më mirë të jem i lumtur dhe i çuditshëm, sesa i mjerë dhe i zakonshëm.”
Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Uilli Biç, një djalë i vogël nga Londra, shpërngulet në fshat për t’u larguar nga rreziku i luftës.
Uilli është i trembur, i pasigurt dhe nuk e ka njohur kurrë ngrohtësinë dhe kujdesin që meriton një fëmijë. Por jeta e tij fillon të ndryshojë kur takohet me Tom Ouklin, një burrë i moshuar dhe i vetmuar, që e merr nën kujdesin e tij.
Për herë të parë, Uilli ndihet i sigurt. Ai fillon të luajë, të mësojë, të krijojë miqësi dhe, mbi të gjitha, të besojë te vetja. Mes tij dhe Tomit lind një lidhje e jashtëzakonshme që do t'u ndryshojë jetën të dyve. Por kur nëna e Uillit e rikthen në Londër, bota e tij e re shembet.
A do të ketë Uilli guximin të përballet me atë që e pret? Dhe a do të mundet Tomi ta ndihmojë edhe një herë?
Natën e mirë zoti Tom është një histori e fuqishme për dashurinë, miqësinë, kujdesin dhe shpresën. Një libër që u kujton fëmijëve sa shumë mund të ndryshojë jeta kur dikush të beson, të dëgjon dhe të gjendet pranë teje.
Një klasik që ia vlen të lexohet dhe të ruhet brez pas brezi.
Michelle Magorian që kur ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeçe, e dinte se donte një jetë mes dy pasioneve të mëdha: aktrimit dhe shkrimit. Ëndrra e saj ishte të kalonte gjysmën e vitit në skenë dhe gjysmën tjetër duke krijuar histori.
Ajo studioi në Rose Bruford College dhe më pas në shkollën e famshme të Marcel Marceau në Paris. Për shumë vite punoi si aktore dhe, edhe gjatë periudhave të ngarkuara me prova dhe shfaqje, gjente gjithmonë pak kohë për të shkruar. Në të njëzetat, Michelle zbuloi një tjetër dashuri të madhe: librat për fëmijë. Kështu nisi të shkruante Natën e mirë zoti Tom, romanin që do ta kthente në një nga emrat më të dashur të letërsisë për fëmijë.
Nga skena te faqet e librave, Michelle Magorian krijoi histori që kanë prekur zemrat e brezave të tërë lexuesish.