Michelle Magorian që kur ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeçe, e dinte se donte një jetë mes dy pasioneve të mëdha: aktrimit dhe shkrimit. Ëndrra e saj ishte të kalonte gjysmën e vitit në skenë dhe gjysmën tjetër duke krijuar histori.
Ajo studioi në Rose Bruford College dhe më pas në shkollën e famshme të Marcel Marceau në Paris. Për shumë vite punoi si aktore dhe, edhe gjatë periudhave të ngarkuara me prova dhe shfaqje, gjente gjithmonë pak kohë për të shkruar. Në të njëzetat, Michelle zbuloi një tjetër dashuri të madhe: librat për fëmijë. Kështu nisi të shkruante Natën e mirë zoti Tom, romanin që do ta kthente në një nga emrat më të dashur të letërsisë për fëmijë.
Nga skena te faqet e librave, Michelle Magorian krijoi histori që kanë prekur zemrat e brezave të tërë lexuesish.