Në histori vlera morale e veprës nuk përcaktohet nga përfitimi material. Përgjatë rrjedhës së kohës, njerëzimin e pasuron vetëm ajo vlerë që ia ngre nivelin e diturisë dhe ia forcon vetëdijen e tij krijuese.
Nisur nga kjo, vepra e Magelanit ua kalon të gjitha veprave heroike të
kohës kur jetoi. Lavdia e saj qëndron te sakrificat për ta realizuar ëndrrën e tij dhe të qindra e mijëra kapedanëve të tjerë detarë të pasionuar pas lundrimit. Vetëmohimi i pashembullt i atyre pesë anijeve të vogla, të rraskapitura, të vetmuara mes ujërash, të cilat u nisën me qëllimin e shenjtë të zbulimit të së panjohurës, ka mbetur në kujtesën historike të njerëzimit.
Magelani, njeriu që dha idenë e lundrimit rreth e qark botës, ai që pati guximin ta ndërmarrë atë, do të mbetet i paharruar. Pas kërkimesh të kota prej një mijë vitesh, ishte anija e tij e fundit që arriti të njohë perimetrin e rruzullit të tokës.
Për herë të parë, me kapërcimin e hapësirës së tokës, njerëzimi ndjeu fuqinë, kënaqësinë dhe kurajën e arritjes së madhështisë së tij.
Kjo vepër pothuajse e harruar e Magelanit vërtetoi ndër shekuj se, kur qëllimi dhe pasioni marrin energji nga gjenia e mendjes, njeriu mbizotëron ndaj të gjitha forcave
të natyrës.
Një histori që na rrëfen se si edhe një njeri i vetëm, gjatë jetës së tij të shkurtër, mund ta shndërrojë në një realitet dhe në një të vërtetë të pavdekshme atë që, për qindra breza kishte qenë thjesht ëndërr e dëshiruar.
Stefan Cvajg është një nga shkrimtarët më të njohur në botë. Cvajg lindi në Vjenë, Austri, por që nga viti 1919 jetoi në Salzburg, përpara se, në vitin 1938, të emigronte në Angli, më pas në ShBA dhe, në fund, në vitin 1941, në Brazil. Ai shkroi novela dhe tregime, si edhe shumë biografi të figurave të njohura të historisë së botës, ndër të cilat më e famshmja është biografia e Mary Stewart (Maria Stjuart), si edhe ajo e perandoreshës, Mari Antuanete. Me tregimet dhe veprat e tij historike, ai arriti të fitojë miliona lexues në mbarë botën. Pak para se të vdiste dërgoi për botim autobiografinë e tij, “Bota e së djeshmes”.