Peni ka bërë gati valixhet: do të udhëtojë nëpër Europë me të dashurin e saj, yllin e rokut!
Kur Noah e fton Penin të shkojë me të në turneun e tij të parë evropian, ajo mezi pret të kalojë gjithë verën pranë djalit që dashuron. Por jeta në turne nuk është aspak siç e kishte imagjinuar. Noah ka një axhendë të mbushur plot, pjesëtarët e grupit nuk janë edhe aq miqësorë dhe disa fansa xhelozë fillojnë t’i dërgojnë Penit mesazhe kërcënuese.
Ndërsa ditët kalojnë, Peni nis të dyshojë nëse i pëlqen vërtet jeta e një ylli në turne. I mungojnë familja, shoku i saj më i mirë Eliot dhe, mbi të gjitha, blogu i saj Vajza online, ku mund të shprehte gjithçka që ndiente.
A do të dijë Peni të gjejë ekuilibrin mes dashurisë dhe jetës së saj të re, apo përpjekja për të jetuar verën e përkryer do t’i kushtojë gjithçka?
Ngjarje plot dashuri, muzikë, udhëtime, miqësi dhe emocione, që e çojnë historinë e Penit përtej botës së saj online.
Historia vijon në librin e tretë - Vajza online provon solon
ZOE SUGG, që njihet ndryshe edhe si Zoella, është një blogere me video (vloger) nga Brajtëni i Britanisë së Madhe. Video-postimet e saj për bukurinë, modën dhe stilin e jetesës, i kanë sjellë miliona të abonuar në YouTube, me shikues që sa vijnë e shtohen nga muaji në muaj. Ajo fitoi çmimin Cosmopolitan Blog Award për Blogun më të mirë të Bukurisë dhe vijoi me Vlogerja më e mirë e Bukurisë. Zoe ka marrë edhe çmimin Vlogerja më e mirë britanike në radio Teen Awards, çmimin e Të përzgjedhurës së të rinjve Nickelodeon si vlogerja më e pëlqyer e Britanisë së Madhe dhe kandidonte si Ylli i Rrjetit për modën e bukurinë në Teen Choice Awards. Në verë, Zoe filloi edhe klubin e saj ngazëllues të librave me WHSmith.