Në gjashtë vitet e para të jetës, truri i fëmijës ka një potencial të cilin nuk do ta ketë më. Kjo nuk do të thotë se duhet të përpiqemi që t’i bëjmë fëmijët e vegjël gjeni, sepse kjo, jo vetëm që është e pamundur, por edhe për faktin se një tru që zhvillohet nën trysni mund të humbasë gjatë rrugës një pjesë të thelbit të tij.
Ky libër është një udhëzues praktik që i ndihmon prindërit të kuptojnë si funksionon truri i fëmijës dhe si zhvillohet ai gjatë viteve të para të jetës.
Dr. Álvaro Bilbao e shpjegon neuroshkencën me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme, duke treguar pse fëmijët reagojnë me zemërim, frikë, të qara, impulsivitet apo vështirësi në kontrollin e emocioneve. Në vend që sjelljet e fëmijës të shihen vetëm si mosbindje, libri i ndihmon prindërit të kuptojnë çfarë po ndodh në trurin e tij, me potencialin e tij intelektual dhe emocional.
Autori propozon mënyra konkrete për të ndihmuar fëmijën të zhvillojë vetëkontrollin, inteligjencën emocionale, kujtesën, përqendrimin dhe aftësinë për të marrë vendime, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen dhe komunikimin me prindërit.
Dr. Alvaro Bilbao është neuropsikolog dhe psikoterapist spanjoll, si dhe baba i tre fëmijëve. Ai është specializuar në neuropsikologji pranë Johns Hopkins Hospital dhe gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar me institucione ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Bashkimin Evropian, si ekspert në edukim dhe zhvillimin e trurit.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Bilbao është përqendruar në ndihmën ndaj familjeve për të kuptuar mënyrën se si funksionon truri i fëmijës dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të shëndetshme me fëmijët.