Njihuni me LUISIN mjellmën më të jashtëzakonshme të të gjitha kohrave!
Luisi, një Mjellmë Trumbetare, lindi me një të metë, nuk ishte si mjellmat e tjera, nuk kishte zë. Por nuk dorëzohet, me ndihmën e shokut të tij të mirë, Semit, mësoi të shkruajë e të lexojë! Por me gjithë këtë, ai nuk mund të zgjidhte problemin e tij kryesor, t’i shprehte dashurinë Serenës, mjellmës së bukur lozonjare. Kjo çështje e shtyu të atin të mendonte për një zgjidhje, diçka që jo vetëm i dha mundësinë Luisit të vinte në jetë aventurën e tij, por edhe të bëhej i famshëm dhe i pasur.
Këmbëngulja e tij për tê sfiduar të metën që kishte e bën historinë e Lusit edhe frymëzuese dhe një udhërrëfyes se si ti arrish ambiciet edhe kur ke një të metë.
Kjo histori e mrekullueshme dhe magjepsëse, e shkruar me aq mjeshtëri nga E.B. White, është njëkohësisht një roman klasik plot humor e frymëzim për fëmijët e të gjitha moshave.
E. B. Uajt është autor i librave klasikë “Rrjeta e Sharlotës” dhe “Stjuart Piciruku”. Libri shoqërohet me ilustrime shumë të bukura.
Nëse prindërit do të lexojnë bashkë me fëmijët do të krijojnë kujtime leximi që mund të bëhen ndër më të dashurat e jetës.
Libri u botua për herë të parë në vitin 1970. Ai vijon të jetë shumë i dashur për fëmijët, prindërit dhe mësuesit.
Nga i njëjti autor lexo edhe “Rrjeta e Sharlotës”, “Stjuart Piciruku”.
E.B. White u lind në Nju Jork më 1899 dhe vdiq më 1985. Shkrimet e tij janë botuar për shumë vjet në revistën The New Yorker. Në Maine kishte një fermë ku mbante kafshë, disa prej të cilave zënë vend në faqet e librave të tij si Stjuart Piciruku, i cili është bërë film dhe gëzon popullaritet të madh. Po ashtu Rrjeta e Sharlotës është bërë film i animuar dhe me personazhe realë.
Më 1970 ka marrë medaljen “Laura Ingalls Wilder” për librat e tij për fëmijë, Stjuart Piciruku dhe Rrjeta e Sharlotës, çmim që ndahet çdo pesë vjet për autorët që “kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të veçantë në letërsinë për fëmijë”. Ndërsa libri tjetër po për fëmijë, Trumbeta e Mjellmës ka fituar disa çmime radhazi.
Uajt është autor i shtatëmbëdhjetë librave në prozë dhe poezi. Në vitin 1973 u zgjodh anëtar i Akademisë Amerikane të Letrave dhe Artit.
Fred Marcellino është ilustrues i njohur i librave për fëmijë. Ai krijoi ilustrime për vepra të vlerësuara me disa çmime të rëndësishme. Në vitet 2002–2003, Norman Rockwell Museum organizoi një ekspozitë të madhe me mbi 150 vepra të tij.