Kjo është historia e tri grave, histori të vërteta, të paharrueshme! Tri jetë të lidhura nga dëshira, dashuria, pasioni dhe vetmia.
Lina, një nënë e re në periferi të Indianës, martesa e së cilës e ka humbur pasionin, nëpërmjet rrjeteve sociale rilidhet me të dashurin e saj të rinisë së hershme, dhe shumë shpejt kjo lidhje do të përfshijë edhe persona të tjerë.
Megi, një vajzë shtatëmbëdhjetëvjeçare, nxënëse e shkollës së mesme në Dakotën e Veriut, gjoja ngatërrohet në një marrëdhënie dashurie me mësuesin e saj të anglishtes, i cili është i martuar; gjyqi penal që pasoi, e kthen përmbys komunitetin e tyre të qetë.
Sloana, një pronare e suksesshme restoranti në një zonë të veçantë të verilindjes së qytetit, i gëzohet martesës së lumtur me bashkëshortin e saj, të cilit i pëlqen ta shohë të shoqen duke bërë seks me burra dhe gra të tjera.
I vlerësuar si "një arritje mahnitëse" (Los Angeles Times) dhe "një libër tërheqës që eksploron dëshirën, zemërthyerjen dhe pasionet me të gjitha nuancat e tyre të pista dhe të ndërlikuara (Washington Post), Tri Gra e Lisa Taddeo-s ka magjepsur lexuesit, librashitësit e kritikët – si dhe kryeson listën e bestsellerëve në mbarë botën. Mbështetur në tetë vjet kërkime të gjithanshme, kjo "vepër magjepsëse e reportazhit letrar" (Atlantic) na njeh me tri gra të paharrueshme - dhe një shkrimtare të shquar - përvojat e të cilave na kujtojnë se nuk jemi vetëm.
Lisa Taddeo iu kushtoi tetë vjet dhe mijëra orë hulumtimi tri grave, historitë e të cilave përbëjnë librin e saj “Tri gra”. Për ta kuptuar sa më thellë jetën e tyre, ajo u zhvendos edhe në qytetet ku ato jetonin, duke u njohur me përvojat dhe realitetin e tyre të përditshëm.
Shkrimet e saj janë botuar në revista prestigjioze si New York Magazine, Esquire, Elle dhe Glamour, si dhe në shumë botime të tjera. Ajo është vlerësuar me dy çmime për tregimet e saj të shkurtra.
Lisa Taddeo jeton në Britaninë e Madhe, së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e saj.