Ky është vëllimi i parë i përshtatur në novelë grafike të Sapiens, fenomenit botëror dhe bestsellerit nr. 1 të Sunday Times, nga Yuval Noah Harari.
Me 248 faqe me ilustrime të mrekullueshme, të gjitha me ngjyra, ky botim vjen në një paraqitje të bukur dhe të kuruar.
Para njëqind mijë vjetësh, në Tokë banonin të paktën gjashtë lloje të ndryshme njerëzish. Sot, megjithatë, ka mbetur vetëm njëri – Homo sapiens.
Çfarë ndodhi me të tjerët? Dhe çfarë mund të ndodhë me ne?
Në këtë botim Yuval Noah Harari rrëfen historinë e krijimit dhe evolucionit të njerëzimit, duke shqyrtuar mënyrën se si biologjia dhe historia na kanë formësuar dhe kanë zgjeruar të kuptuarit tonë për atë që do të thotë të jesh «njeri».
Në një botë të pushtuar nga informacione kaotike, kthjelltësia është forca e vërtetë. Por, si mund t’i shohim gjërat në një plan më të gjerë pa na e rrëmbyer shikimin vogëlsirat? Një nga mënyrat do të ishte kthimi i syve tek e shkuara, panorama e madhe e vërtetë e gjithë species njerëzore.
Kjo novelë me ilustrime na rrëfen se si majmuni i madh Ape, tërësisht primitiv, u shndërrua në sunduesin e gjithë planetit Tokë, ia doli të ndante atomin, të fluturonte deri në Hënë e të manipulonte kodin gjenetik të jetës.
Të udhëhequr nga Juval Noah Harari e nën shoqërinë e personazheve si Bill Prehistoriku, Doktor Fantazia dhe Inspektori Lopez, ju ftojmë të ndërmerrni këtë udhëtim drejt skutave më të errëta të historisë.
Kjo novelë është një ritregim thuajse i ri dhe tej mase argëtues i historisë së njerëzimit që ju tashmë e njihni nga faqet e shumë lexuara të librit “Sapiens: një histori e shkurtër e njerëzimit”, libër që numëron plot 16 milionë kopje të shitura dhe përkthime në 60 gjuhë të botës. Përplot me nota të fisme humori dhe larmishmëri personazhesh, për të thithur vëmendjen e atyre jo fort të pasionuarve pas shkencës dhe historisë.
Me një tekst të lehtë për t’u kuptuar, që përfshin pjesën e parë të botimit origjinal, kjo përshtatje e veprës, që zgjeron horizontet e mendimit, e çon më tej diskutimin dhe i prezanton idetë e Hararit në një rreth më të gjerë lexuesish.
«Një roman grafik i mrekullueshëm… I zgjuar, plot humor dhe i zhytur thellë në realitetin e asaj që jemi si specie.» — Big Issue, Librat e Vitit
Yuval Noah Harari ka marrë titullin “Doktor në Histori” nga Universiteti i Oksfordit dhe sot është lektor në Universitetin Hebre të Jerusalemit, i specializuar në historinë botërore. Dy librat e tij: Sapiens: një histori e shkurtër e njerëzimit dhe Homo Deus: një histori e shkurtër e së nesërmes, janë ndër librat më të shitur në botë, me mbi 45 milionë kopje dhe të përkthyera në më shumë se gjashtëdhjetë e pesë gjuhë.
ynharari.com
Facebook.com/Prof.Yuval.Noah.Harari
Ywiter: @harari_yuval
youtube.com/c/ YuvalNoahHarari1
David Vandermeulen është autor, skenarist dhe ilustrues belg. Ai u bë i njohur fillimisht në skenën artistike të Brukselit, ku në vitin 1997 themeloi shtëpinë e tij të vogël botuese, Clandestine Books, përmes së cilës publikoi krijimet e para.
Vandermeulen ka spikatur me botimet e tij për ndërthurjen e historisë, letërsisë, humorit dhe artit të rrëfimit grafik. Në vitin 2020, në bashkëpunim me historianin Yuval Noah Harari dhe me ilustruesin Daniel Casanave, realizoi përshtatjen në novelë grafike të bestsellerit Sapiens.
Për kontributin e tij në letërsinë grafike dhe krijimtarinë e pasur artistike është vlerësuar me disa çmime prestigjioze.
Daniel Casanave ka lindur më 1963 në Ardenne, Francë. Ka studiuar për arte të bukura në Reims dhe prej vitesh e ndan krijimtarinë e tij mes ilustrimit, skenografisë dhe romanit grafik.
Krijimtaria e Casanave është e shumëllojshme: ai ka ilustruar libra për fëmijë, ka realizuar karikatura për shtypin dhe ka punuar në projekte të ndryshme artistike. Është gjithashtu themelues i shtëpisë botuese Éditions Traverses.
Në fushën e novelës grafike, Casanave është aktiv që prej vitit 2001, duke u përqendruar veçanërisht në përshtatjen e veprave të rëndësishme të letërsisë në formatin grafik, si edhe në bashkëpunime me autorë të tjerë.