...Librat tanë të historisë, deri kohët e fundit na kanë shfaqur portretin e një Robespieri veshur me sqimë, siç i kishte hije një borgjezi të vërtetë të një rangu të lartë: me qaforen që i shtrëngonte gushën, me parukën të pudrosur, me pamjen e qetë prej maçoku me sy të blertë depërtues prapa syzeve lornjon me xham në ngjyrë ulliri, fiksuar mbi hundë. Nuk e kanë kursyer aspak në portretizim, duke pasur parasysh se ai ishte një nga organizatorët e regjimit të Terrorit, ndërsa ekzekutimi i tij në gijotinë, më 9 termidor 1794, u ndje nga shumica e historianëve si një lehtësim.
Megjithatë, pas atij njeriu me zakone të ashpra dhe pa jetë private, prapa atij punëtori ngulmues që nuk njohu kurrë pushime dhe kohë të lirë, fshihet pashmangshmërisht një enigmë, çka e bën atë një personazh më kompleks nga sa shfaq pamja e tij e jashtme...
Joël Schmid propozon një vështrim tjetër ndaj kësaj figure historike. Në fillimet e karrierës së tij si gjykatës i ri, Robespieri ngurron të nënshkruajë një vendim për dënim me vdekje, ndërsa revolucioni e transformoi, duke i ngjallur një mendim sa ndriçues po aq edhe çnjerëzor. Admirues entuziast i heronjve të Romës së lashtë, ai kërkon të shfaqet herë si Ciceroni që godet me ashpërsi Katinilat e Revolucionit Francez, herë si Bruti që e çon Luigjin XVI në gijotinë. Ashtu si Katoni i Utikës, ideali i tij përfundon në krim, duke miratuar më në fund regjimin e Terrorit. Në mbrëmjen e 10 Termidorit, Revolucioni, të cilit ai iu përkushtua aq shumë, e gllabëron të tërin, duke përfunduar edhe ai vetë në gijotinë, së bashku me njëzet e dy përkrahësit e tij.
Historian, romancier e kritik letrar, Joël Schmidt ka botuar rreth pesëdhjetë vepra, pjesën më të madhe kushtuar antikitetit. Joël Schmidt është anëtar i Komitetit të Leximit të një shtëpie të rëndësishme botuese parisiane, si dhe anëtar i rreth një duzine jurish për çmime ndërkombëtare. Për tërësinë e veprës së tij, në vitin 2004 ka marrë Medaljen e Kuqe të Akademisë Franceze, ndërsa në vitin 2010 Çmimin e Madh të Letërsisë nga Shoqëria e Letrarëve.