Nga mesi i viteve shtatëdhjetë, Viktoria Euhenia Henao ishte një adoleshente si gjithë të tjerat, që nuk e dinte se ç’drejtim do të merrte jeta e saj kur u dashurua me Pablo Eskobar Gavirian. Për dy vite me radhë, gruaja dhe nëna e dy fëmijëve të kreut të kartelit të Medelinit, u zhyt në kujtimet e saj për të përjetuar sërish ato ngjarje të llahtrshme me të cilat u përball bashkë me njeriun, i cili që nga viti 1982, e rrënoi Kolumbinë nëpërmjet një strategjie terrori, duke vrarë politikanë, gazetarë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, si dhe duke përmbytur botën me kokainë.
Pse u martua me Pablo Eskobarin? Pse nuk e braktisi kurrë dhe as nuk e denoncoi?
Viktoria Eugenia rrëfen me realizëm dhe në mënyrë rrëqethëse se ç’do të thoshte për të të jetonte në krah të njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm e më të kërkuar të botës.
Pas më shumë se 25 viteve heshtje dhe frike, vjen dëshmia e gruas së narkotrafikantit më të rrezikshëm të botës në një libër biografik.
...”Më janë dashur njëzet e pesë vjet që të ngrihem në këmbë, të dal nga ngujimi brenda vetes, të mposht frikën dhe të tregoj me fjalët e mia se si ka qenë jeta ime në krah të Pablo Eskobarit. Pavarësisht gjithë atyre viteve që jetova me të, falë hulumtimeve që bëra për këtë libër, nisa të përcaktoj dhe të kuptoj me saktësi se çfarë kishte ndodhur me jetët tona. Për të mbërritur deri këtu m’u desh të mposht frikën se mos më gjykojnë keq si dhe të bashkëjetoj me ngurrimin e shumë njerëzve të cilët më kërkuan që të mos e bëj, që t’i lë gjërat ashtu siç janë. Por, mendoj se iu futa një rruge pa kthim sepse dëshiroja të lë pas krahëve gjithë këto vite heshtjeje. Ndieja nevojën që të tregoj historinë time”... Viktoria Euhenia Henao
Victoria Eugenia Henao lindi në vitin 1961 në Palmira, në rajonin Valle del Cauca, Kolumbi. Ajo u martua në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare me Pablo Escobarin, me të cilin pati dy fëmijë: Juan Pablo dhe Manuela.
Pas vdekjes së bashkëshortit, ajo ndryshoi identitetin e saj dhe të familjes, duke u larguar në mërgim në Argjentinë.