Ky libër sjell një portret të gjerë dhe të thelluar të Antonio Gramshit, një prej mendimtarëve dhe figurave politike më të rëndësishme të Italisë së shekullit XX. Angelo d’Orsi rindërton jetën e tij, nga fëmijëria në Sardenjë dhe vitet e studimit në Torino, deri te përvoja politike, burgosja nga regjimi fashist dhe vitet e fundit të jetës.
Përmes dokumenteve historike dhe materialeve të reja arkivore, autori ndërthur jetën personale të Gramshit me zhvillimet politike e shoqërore të kohës. Me një rrëfim të aftë për të rindërtuar ngjarjet dramatike historike, protagonist apo dëshmitar i të cilave Gramshi ishte, d'Orsi hedh dritë mbi gjenealogjinë dhe origjinalitetin e mendimit të tij, duke gjurmuar pikëtakimet dhe përplasjet me historinë e së majtës italiane e sovjetike dhe protagonistëve të saj, nga Toliati te Bordiga, nga Lenini te Trocki dhe te Stalini.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe zhvillimit të mendimit të Gramshit, përpjekjes së tij për të kapërcyer dogmatizmin ideologjik dhe koncepteve që trajtuan rolin e intelektualëve, hegjemoninë kulturore dhe marrëdhëniet mes pushtetit e shoqërisë. Në këtë mënyrë, libri e paraqet jo vetëm si një veprimtar politik, por edhe si një intelektual që vazhdoi të zhvillonte idetë e tij edhe gjatë viteve të burgimit.
Një biografi që shkon përtej historisë së një jete, për të zbuluar lidhjen mes ideve, pushtetit dhe sfidave të një epoke, si dhe arsyet pse mendimi i Gramshit vazhdon të nxisë debat edhe sot.
Historia prekëse e një personaliteti të trazuar dhe të thellë, të pajisur me një gjenialitet aq depërtues, saqë ishte jashtë kohës së vet, ndoshta edhe jashtë sonës.
ANGELO D'ORSI ka ligjëruar “Historinë e mendimit politik” si dhe disiplina të tjera historiko-politike në Universitetin e Torinos. Është autor i librave: La cultura a Torino tra le due guerre (Einaudi, 2000; Çmimi “Acqui Storia”), Intellettuali nel Novecento italiano (Einaudi, 2001), Gramsciana. Saggi su Antonio Gramsci (Mucchi, 2015) dhe 1917- L'anno della rivoluzione (Laterza, 2016). Ai është redaktori i Bibliografia Gramsciana Ragionata (Viella, 2008) si dhe drejtor i revistave: Historia Magistra (revistë e historisë kritike) dhe Gramsciana (revistë ndërkombëtare e studimeve për Antonio Gramshin).