Heronjtë jo të gjithë kanë superfuqi - Që kur u bë Fëmijë normal, Mërç Vozaxhiu dhe Super-Zerot – shokët e tij të klasës, secili me aftësi që, për të qenë të sinqertë, nuk janë edhe aq të dobishme, kanë qenë të zënë duke kapur keqbërës kudo që shfaqen. Por të jesh hero nuk është aspak e lehtë. Sidomos kur nuk mund t’i tregosh askujt për aventurat e tua të jashtëzakonshme dhe shokët e klasës ende nuk besojnë se ti ke atë që duhet për të qenë hero.
Dhe pikërisht atëherë, larg, në një burg supersekret, superkeqbërësi më i frikshëm në botë thyen heshtjen tridhjetëvjeçare.
Fjalët e tij të para ishin: “Ma sillni Fëmijën normal!” Ky superkeqbërës ishte ai që u kishte vjedhur superfuqitë disa prej heronjve më të mëdhenj të Aleancës së Heronjve të të gjitha kohërave.
A do të arrijë Mërç-i ta mposhtë?
Me ilustrime bardhë e zi në çdo faqe, kjo histori plot humor dhe aventura tregon se heronjtë mund të jenë të çdo forme dhe madhësie.
Greg James-i është një zë dhe një figurë e njohur në radio dhe në TV. Ai është fitues i çmimit të parë të radio BBC për drejtimin e emisionit “Drivetime” dhe çdo të premte prezanton “Official Chart” të Mbretërisë së Bashkuar. Gregu ka drejtuar një emision varieteje dhe tani së fundmi edhe emisionin “Fëmijët në nevojë” në BBC. Ai është imazhi i rubrikës së kriketit në BTSport, ndërsa më 2016-n mblodhi mbi një milion paund për Mbështetjen e Sportit, duke marrë pjesë dhe duke përfunduar pesë gara triatloni në pesë qytete në pesë ditë. Gregu nuk zotëron superfuqi. Në kohën e lirë kënaqet me idenë se po ushtron hobet e tij, por, në të vërtetë, ai i ka shndërruar në punë të gjitha hobet e veta.
Chris Smith-i është gazetar i medias së shkruar dhe radioje i nderuar me disa çmime. Ai çdo ditë jepte lajmet te Newsbit në Radion BBC-1 duke informuar kështu miliona e miliona njerëz. Chris-i ka edhe një karrierë të shkëlqyer si shkrimtar duke fituar në vitin 1981 Konkursin e Prozës së Shkurtër H.E. Bates 9 në tetë kategori, me përrallën e tij “Ku janë biskotat me brendi?”. As Chris-i nuk zotëron superfuqi, megjithatë ai kënaqet me macen tij, Mabelin, teksa e ngre lart dhe vrapon sa andej-këndej duke bërë gjoja sikur ajo fluturon.
Erica Salcedo ka studiuar Arte të Bukura në Universitetin Castilla-La Mancha, përpara se të vazhdonte studimet master në Dizajn Grafik. Për të krijuar ilustrimet e saj, ajo përdor një kombinim teknikash – nga vizatimi me dorë te përpunimi digjiital – dhe gjithmonë kujdeset të shtojë edhe një dozë humori. Erica jeton në Cuenca, Spanjë.