I pazakontë! Gazmor! Aventuresk!
Darkus është një djalë i zakonshëm, jeta e të cilit ndryshon kur babai i tij, një shkencëtar i njohur, zhduket në mënyrë misterioze. Ndërsa përpiqet të zbulojë të vërtetën, Darkus gjen një aleat krejt të pazakontë: një brumbull të jashtëzakonshëm, që duket se di më shumë nga sa mund të imagjinojë.
Bashkë me miqtë e tij, Darkus nis një aventurë të rrezikshme për të gjetur babanë dhe për të zbuluar sekretin që fshihet pas zhdukjes së tij. Por pas kësaj ngjarjeje qëndron një armike e çuditshme dhe e rrezikshme, e cila ka një lidhje të veçantë me botën e brumbujve.
Një histori plot mister, miqësi, aventurë dhe humor, ku një djalë i guximshëm dhe një brumbull i pazakontë bëhen miq në një mision për të shpëtuar atë që duan.
Ngjarjet vijojnë në librin e dytë “Mberetëresha e brumbujve”…
M. G. Leonard është autore britanike e njohur për librat e saj plot aventurë, mister dhe fantazi, veçanërisht për lexuesit e rinj. Para se t’i kushtohej letërsisë, ajo punoi në industrinë e muzikës dhe në teatrin e Londrës.
Pasioni i saj për brumbujt dhe botën e insekteve u bë frymëzim për serinë e famshme Beetle Boy, e cila e bëri të njohur ndërkombëtarisht. Librat e saj ndërthurin humorin, miqësinë dhe aventurën me një dashuri të veçantë për natyrën.
Sot, M. G. Leonard është një nga zërat më të dashur të letërsisë bashkëkohore britanike për fëmijë. Librat e saj janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë dhe kanë fituar shumë çmime.
Júlia Sardà është ilustruese e njohur e librave për fëmijë. Në fillimet e karrierës së saj punoi në projekte editoriale të Disney, e më pas iu kushtua ilustrimit si artiste e pavarur. Eksperienca në animacion, artin konceptual dhe dizajnin e personazheve për videolojëra ndikoi në zhvillimin e stilit të saj të veçantë artistik. Júlia Sardà ka ilustruar vepra të njohura të letërsisë botërore, ndër të cilat "Liza në botën e çudirave", "Magjistari i Ozit" etj.
Ilustrimet e saj dallohen për imagjinatën e pasur, atmosferën përrallore dhe ilustrimet plot detaje, që ndërthurin elemente fantastike, humorin dhe një ndjeshmëri të veçantë artistike. Júlia jeton dhe punon në Barcelonë.