Të kuptosh se çfarë po ndodh në trurin e fëmijës mes moshës 6 deri në 11 vjeç.
Fëmijët nga 6 deri në 11 vjeç mund të shfaqin sjellje që i shqetësojnë prindërit: janë të çrregullt ose agresivë në shkollë, kanë vështirësi për t’u përqendruar, mungesë vetëbesimi, gënjejnë, shpërthejnë përballë zhgënjimit, urinojnë ende në shtrat, janë të vështirë në ushqim ose kanë vështirësi të krijojnë miqësi. Por pas këtyre sjelljeve ka gjithmonë një arsye.
Kjo periudhë është vendimtare për zhvillimin e fëmijës. Ai fiton gjithnjë e më shumë autonomi, ndërsa prindi duhet të gjejë ekuilibrin mes kontrollit dhe lirisë. Një ditë fëmija kërkon pavarësi, ndërsa të nesërmen ka nevojë për përqafimin e nënës. Kuptimi i mënyrës se si funksionon truri i fëmijës ndihmon në shmangien e konflikteve, britmave dhe ndëshkimeve të panevojshme.
Duke u mbështetur në zbulimet e fundit të neuroshkencës, Isabelle Filliozat ofron një qasje konkrete dhe praktike për të kuptuar sjelljet e fëmijës dhe për t'iu përgjigjur atyre me më shumë qetësi dhe efektivitet.
Një fëmijë 10-vjeçar mund të duket shumë i pjekur, por truri i tij është ende shumë larg pjekurisë së trurit të një të rrituri. Pikërisht kjo diferencë mund të shpjegojë shumë nga sjelljet që prindërit i interpretojnë si “kokëfortësi” ose “provokim”.
Një libër veçanërisht interesant për prindërit e fëmijëve 6–11 vjeç, i krijuar si një udhëzues për të kuptuar fëmijën sesa si një “manual me receta”.
Isabelle Filliozat është psikoterapiste, shkrimtare dhe lektore franceze, e specializuar në inteligjencën emocionale dhe marrëdhëniet njerëzore. Ajo ka mbi 40 vite përvojë në punën me emocionet, marrëdhëniet prind-fëmijë dhe prindërimin pozitiv. Filliozat është gjithashtu nënë e dy fëmijëve, përvojë që ajo e lidh ngushtë me punën e saj mbi prindërimin. Ka shkruar dhe është bashkëautore në më shumë se 50 libra, të përkthyer në 28 gjuhë.
Anouk Dubois është psikomotriciste, trajnere për fëmijërinë e hershme, mësuese e certifikuar e programit “Prindër të ndërgjegjshëm”, trajnere në Komunikimin Efektiv – Metoda Gordon, si dhe ilustruese.