botart

“Bunkeri i seksit”, tregime përtej erosit

  • PDF

 

Autori, Ylli Molla sërish me prozë të shkurtër që provokon meditim të gjatë

Në përmbledhjen e fundit me tregime të autorit, mund të gjejnë veten të gjitha kategoritë e lexuesve. Ajo që të bie në sy është qasja e drejtpërdrejtë ndaj detajeve jetësore, ndonjëherë të pavënshme re, por që në rrethanat e kësaj proze kanë shumë rëndësi.

Të bërit letërsi për një gazetar është gjithmonë një kurth nga i cili pak mund të shpëtojnë. Por në përmbledhjen e fundit me tregime, autori nuk ka asnjë shenjë të “dëmit” gazetaresk. Përkundrazi, tregimet janë mjaft të gjalla, shumë larg qasjes nga jashtë, madje shpesh ndjehet se ato janë të përjetuara. Ajo që bie në sy gjatë leximit të tyre është imazhi i fortë dhe i qartë, një prozë kinematike, ku çdo gjë perceptohet në të gjitha nivelet e shqisave.

Nëse do të përpiqeshim për një klasifikim formal të tregimeve ato i ngjajnë përthyerjes së dritës së bardhë në shumë ngjyra pasi kalon nëpër prizmin e tejdukshëm. Në vetëm 10 tregime lexuesi mund të udhëtojë në kohën e shkuar, 20 ose 30 vjet të shkuar, mund të perceptojë fare qartë pjesë të së tashmes, ashtu sikurse mund të gjejë gjurmë të projektimit të së ardhmes. Lexuesi mund të “shohë” se si perceptohej diktatura, deri në elemente të tilla si vënia e emrave ideologjikë fëmijëve dhe përballimi i tyre “nën frymën e partisë”. Pjesë jete dhe përditshmërie që s’kishin pse të ideologjizoheshin, por që në fund të fundit shumë shqiptarë i përjetuan. Duke hyrë në labirintet e këtij absurdi, autori ka mundur të japë thellësisht vetëm në pak faqe proze të ngjeshur, dramën e prindërve dhe gjyshërve që u kishin vënë emra ideologjikë fëmijëve. Dhe po në këtë konfigurim njerëzit e grupit tjetër, ata që bënin ligjin dhe që interperetonin jetën, njerëzit e nomenklaturës, të ftohtë si makina dhe krejtësisht larg marrëdhënieve normale njerëzore. Po kështu në tregimin “Ferri i bardhë” shihet një qasje krejtësisht origjinale ndaj një dukurie jo të panjohur, si ajo e flirtit me shefin dhe ajo e vjedhjes së të brendshme në një ndërrmarrje NPV-je. Një rrëfim krejtësisht i zhveshur nga gjykimi për marrëdhëniet dhe vlerat, por një tregim thellësisht njerëzor dhe goditës. Në këtë grup tregimesh, ku spikat fuqishëm “Plenumi”, mund të përqasen edhe “Ferri i bardhë”, “Makina operative” dhe deri diku “Ushtari i republikës”.

Ndërsa në grupin tjetër të tregimeve, nëse do të mund të vijonim një klasifikim “tematik”, mund të vendosej “Bunkeri i seksit” dhe “Dëshpërimi”. Janë dy tregime, që në qasje të ndryshme shpallin frustrimin e njeriut (shqiptar) dhe groteskeun e këtij frustrimi. Epoka e bunkerëve dhe e privimeve vjen përmes një qasjeje krejtësisht origjinale në tregim, në luftën për teritorre flirtesh, një gjetje mjaft e rrallë.

Një tjetër grup tregimesh, nëse do ta merrnim të mirëqenë grupimin, është edhe “E fejuara e fëmijërisë” dhe “Mos ishe Sheherezadja e përrallës?”. Tregime që bazohen sa tek e tashmja, aq edhe te retrospektiva. Një peng i përhershëm, që herë fashitet e herë nxjerr krye, por që është i destinuar të mbetet peng. “E fejuara e fëmijërisë”, është një tregim antologjik, që sjell me shumë vërtetësi dhe dhimbje një thellësi të humanitetit, që befason. Koha e shkuar dhe koha e tashme ndërfuten te njëra-tjetra në të gjitha tregimet. Ndërsa bie në sy sinqeriteti i prozës. Mund të veçohet vetëm tregimi “Jarga”, që largohet nga forma klasike.

Një tregim antologjik mbetet “Kostumi i fundit”, ku drama e një jete përmblidhet në të vetmin kostum të dhëndërrisë që gjendet në garderobën e një oficeri, i cili vritet në krye të detyrës, por që si shpërblim nga gjithë përkushtimi dhe puna e tij ka marrë një magazinë të vjetër ushtarake si shtëpi. Dita e përcjelljes së tij për në banesën e fundit i bën shokët të ndiejnë keqardhje, jo thjesht për gjendjen e tij, por për vete.

Vëllimi me tregime shkakton gjatë leximit një ndryshim të dukshëm të gjendjes së lexusit. Dhe është e rëndësishme të theksohet se gjatë kohës së leximit, edhe kur je i familjarizuar me tekstin, edhe kur nuk je, s’ke mundësi të merresh me probleme të formës dhe stilit, por zhytesh thellë në humanitetin që tregimet shpalosin. Ky është edhe një parametër i letërsisë së vërtetë.

Nga Olimbi Velaj, Gazeta Telegraf, 16 nëntor 2007

Tregime që nuk vdesin në bunker

Është një përmasë, me të cilën letërsia nuk bën shaka dhe nuk lejon as peshore miqsh, as shkallare hierarkish sipas tipit me të cilin lançohen në kulturën e letrave shqipe vlerat dhe prurjet e reja. Nuk është e thënë të jetë përrua i shëtitur nga të tjerë, një rrjedhë e vetme, e dallueshme nga të tjerët, një stilistike dhe morfologji e qëmtuar dhe qëlluar deri në bindje duke identifikuar emrin e autorit dhe librin me të cilin ai guxon dhe zë një vend në stendat e panairit të librit 2007. Tregime që nuk lëshojnë aromë rozë, që nuk janë bardhë e zi, tregime që nuk luajnë “pop” në tregun e librit vijnë poshtë titullit paksa komercial “Bunkeri i seksit”. Është risku për t’i rezistuar mbijetesës, duke mos e dëmtuar thelbin, llojin, duke mos e shuar kërshërinë për të zhbiruar e për të gjetur të veçantën në një libër me tregime.

I parë nga pikëvështrime shumëdimensionale, libri tërheq me formën me të cilën autori shfaqet, pozicionin që zë në fabul, rrjedhën dhe “dënimin” që i jep tregimit duke e përfunduar atë. Vetë tregimi që mbart peshën e titullit të librit është një figuracion i qëlluar thekshëm, një harakiri me dogmat dhe ideologjitë e shumëpërfolura të jetës sonë në kohën e ish-diktaturës komuniste. Arsyeja e madhe për të dashur lirinë është akti kur ajo të mungon. Një liri e alegorizuar me një përjetim fizik të pasionit dhe parcelizimi i bunkerëve në përmasa të çuditshme të cilat i krijon vetë mungesa e besimit tek liria, është fabula e vërtetë e tregimit.

Kush e njeh autorin, të krijon përshtypjen e një murgu dëshpërues. I pafjalë, i heshtur dhe i prerë. Të gjitha këto epitete i rrëzon tregimi “Mos ishe Sheherazadeja e përrallës?” njeh papritmas një narrator të kujdesshëm për të kujtuar dhe përcjellë kaçurrelat më imcake të një ndjesie të ëmbël si dashuria; njeh një narrator që vuan duke mos u përpjekur të kërkojë shumë – përse? - në jetë, por që këmbëngul për të filozofuar rreth moshës dhe rreth kuptimësisë që merr ajo në çdo fazë dhe moralit të brendshëm me të cilën njeriu ecën me dinjitet duke mbrojtur vetminë e tij universale. Dhe ajo që është ëmbëlsira e këtij tregimi, forma e ligjeratës drejtuar në veten e dytë njëjës, është një lloj ligjërimi që të kujton jehonën që lë një tren pasi ka kaluar goditjet e fundit në stacion. Ndoshta kjo jehonë do ta ndjekë lexuesin në kërshërinë e tij për të vazhduar leximin deri në fund e për t’u menduar për fatin, rastësinë, dritat dhe ngjyrat e jetës. Po në këtë hulumtim ndjesish vjen tregimi “E fejuara e femijërisë”, i cili me gjithë ardhmerinë e dallueshme si tregim që mbahet mend, di të mbahet me pak fjalë dhe pak përshkrime detajesh. Duke mos i shkuar deri në fund kësaj analize të parë, besojmë se libri do rëndojë në xhepin e dashamirëve që duan ta blejnë, edhe pse nuk ka shumë faqe, edhe pse pesha e letrës nuk është në ekuivalencë me peshën e tregimeve. Ato rëndojnë.

Miranda Haxhia, Gazeta Albania, Nëntor 2007

Ylli Molla tregon “Bunkerin e seksit”

Pos botimeve ekzistuese, që kushdo i ka pasur nëpër libraritë e Shqipërisë përgjatë vitit, panairet janë një mundësi e mirë për të promovuar botimet e reja. Një ndër ta është edhe vëllimi me tregime “Bunkeri i seksit”, i cili mban firmën e një gazetari: Ylli Molla. Prej vitesh gazetar në të përditshmet më në zë shqiptare, njëkohesisht ai ka nisur edhe të shkruaje, jo vetëm poezi, një përmbledhje të të cilave e ka botuar në vitin e hershëm 1996, por edhe publicistikë, në botimin “Plani sekret për Kosovën”, botuar në vitin 2006. Ndërsa në këtë Panair të 10-të të Librit ka promovuar përmbledhjen me tregime “Bunkeri i Seksit”. Në këtë vëllim janë përfshirë 10 tregime, ku mund të përmenden ai që i ka dhene edhe titullin librit; “Ferri i bardhë”, “Dëshpërimi”, “Kostumi i vetëm”, “Ushtari i Republikës”, “Makina operative”, “Jarga” etj.

Gazeta “Koha Jonë”, 21 Nëntor 2007

 

You are here: Shtypi "Bunkeri i Seksit" Tregime pertej erosit