botart

Ditari i Ce Gevares

  • PDF

Ditari i Che Guevarës, së fundi në shqip

Afrim Himaj, Gazeta Panorama

Dorëshkrimet e Che Guevarës, “ikonës së shekullit XX”, siç e konsideron revista prestigjioze “Time”, janë zbardhur më së fundi dhe në shqip. Ka qenë përkujdesja e shtëpisë botuese “BOTART” dhe e përkthyesit Piro Andoni, që kanë mundësuar botimin e librit “Ditari”, me mbresat nga ditët më dramatike të “heroit të mitologjisë revolucionare”. I shkruar në llogoret e luftës, atje ku Che u bë i famshëm, ky ditar është kthyer sot në një relikë me vlerë të madhe, sidomos për brezin e ri, adhuruesin e zjarrtë të qëndresës së jashtëzakonshme të autorit përballë padrejtësive, shtypjes dhe shfrytëzimit. Libri përmban vlerësimet e personaliteteve të shumta për Che Guevarën, duke filluar nga Benicio del Toro, Nelson Mandela, Rigoberta Menchu, Ariel Dorfman, Jean-Paul Sartre e deri te Fidel Kastro. Një nga pjesët më interesante të botimit në shqip janë kujtimet nga takimi sekret i Ernesto Guevarës me Mehmet Shehun në Tiranë, në vitin 1960 dhe bisedimet e panjohura me delegacionin shqiptar në Kubë në korrikun e vitit 64. Varianti i shqipëruar “Ditari” i Che Guevarës, i vënë në dukje të botuesit, është baza e skenarit të filmit “ÇE”, të Steven Soderbergh dhe Benicio Del Toro.

Mihallaq Gjinikasi: Ju rrëfej takimin me Çe Guevarën në Kubë, më 1964

Ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli që atëherë dhe ai pretendon se është i vetmi shqiptar ende i gjallë, që ka takuar dhe ka biseduar me Che Guevarën. Fillimisht ka qenë një përqafim i ngrohtë me heroin e mitologjisë revolucionare, siç quhej asokohe, në një dhomë të vogël, në Havanë. Pastaj, Che-ja ka shfrytëzuar rastin për të shprehur konsideratat për vizitën sekrete që kishte bërë më herët në Tiranë. Shqiptarët më kanë falur dhuratën më të çmuar, kishte thënë ai, duke kujtuar kallashnikovin “Made in Albania”, që ia kishte dhënë Mehmet Shehu. Në vazhdim, bisedimet janë përqendruar në çështjet e situatës dhe problemet e rajonit. Në rrëfimin për “Panorama”, 90 vjeçari Mihallaq Gjinikasi, risjell të plotë historinë e takimit me njeriun-legjendë në Havanën e largët në verën e nxehtë të vitit 64...

Zoti Mihallaq! Ju keni qenë pjesëtar i delegacionit të vetëm shqiptar që ka vizituar Kubën. Çfarë kujtoni nga takimet në Havanë?

Ishte një vizitë zyrtare, me ftesë të qeverisë kubaneze për të marrë pjesë në festimet e përvjetorit të fitores së Fidel Kastros kundër diktatorit në Santiago de Cuba. Pjesëtarët e delegacionit fillimisht u propozuan nga autoritetet politike dhe mandej u zyrtarizuan nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila përgatiti dhe axhendën e vizitës. Për vetë kufizimet ideologjike të kohës, u mendua që delegacioni të kishte një përbërje modeste, duke anuar më shumë nga dimensioni shtetëror. Ideja ishte që në Havanë të shkonim jo si përfaqësues të linjës partiake. Sidoqoftë, për Tiranën ishte një vizitë me interes, duke pasur parasysh ngjarjet e vrullshme me protagonist Fidel Kastron dhe Che Guevarën…

Kush ishin pjesëtarët e delegacionit shqiptar, që morën pjesë në festimet e Fidel Kastros?

Delegacioni kryesohej nga Bilbil Klosi, ministri i Drejtësisë së asaj kohe. Në të bënte pjesë Josif Pogaçe, ambasadori ynë në Havanë dhe unë. Pra, tri veta gjithsej…

Çfarë detyre kryenit në periudhën kur u caktuat në delegacionin shqiptar, që mori pjesë në festimet e Kastros në Kubë?

Në atë kohë isha sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në Vlorë, por në delegacion nuk u thirra me këtë cilësi. Aty shkova si deputet i Kuvendit Popullor (përfaqësues i zonës elektorale të Skelës). Edhe dy kolegët e tjerë, në të gjitha takimet zyrtare, u paraqitën me funksionet shtetërore, pa e përmendur në asnjë rast pozicionin politik në forumet e Partisë së Punës.

Bëhet fjalë për fillimin e viteve ‘60……

Më saktë, për korrikun e vitit 64. Me sa më kujtohet, ai ishte delegacioni ynë i parë, por edhe i fundit në Kubë…

U kujtohet linja që udhëtuat për në Havanë?

Nga Tirana fluturuam për në Pragë. Aty fjetëm një natë. Të nesërmen udhëtuam në drejtim të Anglisë. Pastaj, me një avion të veçantë deri në Havanë. Një udhëtim i lodhshëm gjithsesi, që zgjati dy ditë e dy net ...

Kush u priti në aeroportin e Havanës?

Veç zyrtarëve të protokollit, kishin dalë për të na pritur edhe përfaqësues të Partisë Komuniste. Kishte gjithashtu luftëtarë të shquar, që njiheshin si figura publike në atë periudhë në Kubë. I tërë aeroporti i Havanës kishte marrë pamje festive. Atë ditë mbërritën aty me dhjetëra delegacione të demokracive popullore, por edhe nga vende të tjera neutrale. Kishte sakaq miq e të njohur personalë të Fidel Kastros e të Che Guevarës, që vinin nga të katërta anët e globit.

Cila ishte axhenda e delegacionit shqiptar gjatë qëndrimit në Kubë?

Të nesërmen e mbërritjes morëm pjesë në demonstrimin festiv, me rastin e përvjetorit të fitores së Fidel Kastros kundër diktatorit në Santiago de Cuba. Ishte një tubim i jashtëzakonshëm, gati si ato që zhvilloheshin në Tiranë në vitet e para pasluftës. Kastrua dhe Che-ja ishin kryefjala e të gjithëve. Për orë të tëra, Havanën e pushtuan brohoritjet dhe këngët revolucionare. Festimet vazhduan deri afër mbrëmjes.

Çfarë aktivitete të tjera ndoqët, veç festimeve të Havanës?

Në fakt, kishte një program të përbashkët për të gjitha delegacionet pjesëmarrëse, të cilin autoritetet vendase e ndoqën me rigorozitet. Për delegacionit tonë, veç atij, u rezervuan edhe tri veprimtari të tjera. Një takim me ministrin e Drejtësisë, një vizitë në plazhin Zhiron, plazhi më i madh i Kubës dhe një bashkëbisedim me Che Guevarën…

Pra, takimi me Che Guevarën ishte parashikuar nga pala kubaneze…

Che Guevara erdhi personalisht të na takonte në hotelin ku ishim vendosur në Havanë. Takimi miqësor u zhvillua në një nga dhomat e këtij hoteli. Me sa morëm vesh më vonë, ai ishte interesuar që ditën e parë për delegacionin tonë dhe ishte përpjekur për të krijuar mundësinë e një takimi konfidencial.

Për herë të parë takoheshit me Che Guevarën?

Të paktën unë e takoja për herë të parë. Nga aq sa dija në atë kohë, kuptoja se Che Guevara ishte një revolucionar i një tipi të veçantë. Kisha dëgjuar se kishte bërë edhe një vizitë sekrete në Tiranë në vitin ‘60, por tek ne jehona e emrit të tij ishte ndier më herët. Përballja me të ishte diçka mbresëlënëse. Che-ja u paraqit në orën e caktuar, veshur me rrobat karakteristike, beretën klasike dhe këmishën ushtarake me dy xhepa të mëdhenj. U përqafuam si miq të hershëm. Fillimisht na pyeti si ndjeheshim mes luftëtarëve kubanezë, si na dukej Havana, njerëzit e saj, me kë ishim takuar e për çfarë kishim biseduar. Pastaj, u fokusua te përvoja kubaneze, duke u ndalur te fitorja mbi Batistën dhe problemet ekonomike me të cilat përballej revolucioni kubanez. Gjithçka në ligjëratën e tij i referohej termave “revolucion” dhe “përmbysje revolucionare”, të cilat i perceptonte si zhvillime që nisin nga periferia dhe kulmonin në qendër. Pikërisht kështu vepruam në Kubë, saktësoi Çhe-ja dhe populli na kuptoi e na mbështeti, derisa përmbysëm diktatorin Batista…

Pra, Che Guevara promovonte revolucionin që lind në periferi e shpërthen në qendër, diçka që stononte me filozofinë e revolucionit që proklamonte Enveri në Tiranë…

Kjo ishte një nga çështjet, për të cilat nuk ndanim mendim të njëjtë me Che Guevarën. Sidoqoftë, ne nuk ishim aty për t’i mbushur mendjen mbi mënyrën marksiste-leniniste të realizimit të revolucionit. Che-ja në vetvete përfaqësonte protagonistin e një përmbysje revolucionare, që gjithsesi kishte sjellë asokohe një realitet shpresëdhënës në Kubë.

Çfarë biseduat me Che Guevarën për marrëdhëniet midis dy vendeve tona?

Kjo ishte tema më interesante e bisedimeve. Che-ja u tregua i hapur dhe i drejtpërdrejtë, duke pohuar se ka pasur presione nga të tretë (këtu nënkuptohej Bashkimi Sovjetik) për marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Kubë. Pavarësisht kësaj, shtoi ai, ne i kemi të gjitha mundësitë për t’i thelluar ato në të ardhmen. Në fakt, në Tiranë, në atë periudhë ishte hapur Ambasada Kubaneze, por nuk kishte ardhur ambasadori. Ndërkohë, ne kishim akredituar në Havanë ambasadorin tonë. Che-ja mendonte se kjo situatë e kushtëzuar nga roli i Moskës, shumë shpejt do të zgjidhej, por sipas tij duhej angazhim nga të dyja palët. Institucionalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, ai e shikonte si një ogur të mirë për një situatë të favorshme për fatet e revolucionit ndërkombëtar. Na premtoi se nga pala e tyre do të kapërcehej shpejt ngërçi dhe do bëheshin përpjekje për një mjedis të shëndoshë bashkëpunimi. Në këtë pikë, Che-ja parashikonte plane të përbashkëta me të rinjtë e të dyja vendeve. Rinia, u shpreh ai, është shpirti i revolucionit. Pa mbështetjen e saj nuk bëhet fjalë për triumf e fitore. Kjo çështje u bë shkak që të përqendrohemi në problemet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk më kujtohen detajet që u trajtuan aty, por kam fiksuar interesimin e Che Guevarës për ngjarjet në Qipro…

Cili ishte mendimi i tij për konfliktin në Qipro?

Che-ja nuk shfaqi ndonjë mendim konkret, por u interesua të dinte vlerësimin tonë për konfliktin e atëhershëm ndërmjet komuniteteve greke e turke në Qipro. Ju jeni afër zonës problematike dhe padyshim e keni më të qartë shkakun e këtij konflikti, tha ai, duke këmbëngulur për t’u njohur me natyrën e përplasjeve. Reagimi ynë nuk duhej të tejkalonte qëndrimin politik të shpallur zyrtarisht dhe aty për aty u përgjigjëm me gjuhën standarde. Për ne, i thamë, konflikti në Qipro është një çështje e brendshme e dy komuniteteve atje dhe duhet të zgjidhet midis tyre…

Çfarë përshtypje u bëri Che Guevara gjatë takimit?

Krejt ndryshe nga sa kisha dijeni. Aty mësova se Che Guevara ishte doktor dhe një figurë poliedrike, me temperament të qetë dhe të shtruar. Si figurë e dytë pas Fidel Kastros, Che-ja ishte tërësisht i kundërt me impulsivitetin e tij. Në atë kohë, revolucioni kubanez njihej si një nga më të fuqishmit dhe më të vështirët. Nga sa mësuam aty, kuptova se pavarësisht faktit që Che kishte mbajtur peshën kryesore në këtë revolucion, ai ishte lënë disi në hije nga Kastro. Sidoqoftë, ky i fundit nuk kishte mundur t’i mohonte Che-së njohuritë e tij në organizimin e shtetit të ri kubanez, sidomos në fushën e ekonomisë.

Si e kujtonte Che Guevara vizitën që kishte bërë në Tiranë, në vitin 1960?

Ajo kishte qenë një vizitë e fshehtë dhe Che-ja shpjegonte se nuk mund të shprehej për një çështje të arkivuar sekret, me vullnetin e të dyja palëve. I vetmi impresion i tij lidhej me dhuratën e veçantë që i kishte falur kryeministri i vendit, Mehmet Shehu. Bëhej fjalë për një automatik “Kallashnikov”, të markës “Made In Albania”, të cilën, siç thoshte Che-ja, e kishte suvenirin më të çmuar në shtëpinë e tij.

Në çfarë gjuhe komunikuat gjatë bisedimeve me Che Guevarën?

Ai preferoi të komunikonim frëngjisht dhe ashtu ndodhi.

Ndonjë mbresë tjetër…

Che-ja ishte një njeri karizmatik, ku një rol jo të vogël luante pamja e tij fizike, me veshjen tipike të luftëtarit të sapokthyer nga fronti. Ndoshta për këtë u bë idhulli i mijëra të rinjve kudo në botë. Nga ai takim ruaj si kujtim të rrallë një fotografi, realizuar me kërkesën e Che-së dhe shumë mbresa të paharruara. Ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli që atëherë dhe mund të them jo pa krenari se unë jam i vetmi shqiptar ende i gjallë, që jam takuar dhe kam biseduar me Che Guevarën…

Po vizita të tjera bëtë gjatë qëndrimit në Havanë?

Në Havanë qëndruam rreth dy javë. Veç takimit me Che Guevarën, zhvilluam dhe takime të tjera me funksionarë të ndryshëm, ku trajtuam çështjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve. Nga pala kubaneze u pranua pa hezitim kërkesa jonë për të importuar sheqer e për të eksportuar aty konserva të ndryshme. Ishte kjo një iniciativë me shumë interes, që filloi menjëherë nga zbatimi. Gjatë ditëve të qëndrimit në Havanë patëm rastin të vizitonim fabrikën e sheqerit dhe atë të prodhimit të litarit, të cilat njiheshin si më të famshmet e industrisë kubaneze.

Mysafir në shtëpinë e Eminguejit me ftesë të Che Guevarës

Të vish në Kubë e të mos shkosh në shtëpinë e Eminguejit, zëre se s’ke qenë fare. Ftesa e Che Guevarës për të vizituar strehën e shkrimtarit të shquar ishte disi e çuditshme, siç ishte i çuditshëm vetë ai. Kishim gati një javë në Havanë dhe të hutuar nga jehona e festive e debateve politike kishim harruar se ishim në vendlindjen e njërit prej korifenjve të letërsisë botërore. Ndërhyrja e Che-së na zuri në befasi. E mirëpritëm me kënaqësi idenë e tij dhe i kërkuam të na ndihmonte për të vizituar shtëpinë e shkrimtarit të madh. Nuk ka letërsia botërore një Eminguej të dytë, shtoi Çhe-ja, duke veçuar karakterin shpërthyes e krenar të personazheve të tij përballë mjerimit të një brezi të humbur. Aty për aty na tha se tri ditë më parë kishin përkujtuar 3-vjetorin e vdekjes së poetit. Pastaj foli çaste të tëra për shkrimtarin e tij të zemrës. Të nesërmen, në shoqërinë e njeriut që na besoi, shkuam mysafirë te streha e Eminguejit. Shtëpia e thjeshtë, diku në periferi të Havanës, humbiste në një gjelbërim të ndezur. Njerëzit hynin e dilnin pa reshtur. Çdo gjë brenda ishte ruajtur siç e kishte lënë i zoti. Kudo në faqet e murit dalloheshin panoramat me lëkurë të kafshëve të egra. Po kështu edhe në dysheme. Emingueji nuk preferoi kurrë tapet tjetër, veç tyre, na shpjegoi ciceroni. Një pamje kjo, që të kujtonte folenë e një gjahtari, po sakaq ndjesia fashitej kur afroheshe te tavolina e shkrimtarit. Në syprinën mbi të, vështrimi i menduar i Eminguejit dukej sikur sqaronte vizitorët: Pikërisht këtu ka marrë jetë “Plaku dhe deti”, “Lamtumirë armë”, “Për kë bien kambanat”, “Të kesh a të mos kesh”, “Dëborërat e Kilimanxharos”, etj. Një pjesë e tyre sa kishin mbërritur tek ne. Të paktën brezi ynë ishte njohur me to në shkollë. Sidoqoftë, momenti kur merrje në dorë stilografin me të cilin ishin shkruar, ishte diçka e mrekullueshme. Sidomos për ne, që vinim nga një kontinent i largët…

You are here: Shtypi Ditari i Ce Gevares