botart

Shënime mbi një planet nervoz

  • PDF

shenime mbi nje planet nervoz

 

 

Si u krijua ky libër

SHUMICA E NJERËZVE E DINË se bota moderne mund të ketë edhe ndikime fizike. E dinë se, pavarësisht paralajmërimeve, jeta moderne ka rreziqe për trupin tonë. Aksidente automobilistike, duhani, ndotja e ajrit, rehatia e kolltukut, fast-food-et, rrezatimet e dëmshme, ajo gota e katërt me verë Merlot.

Mos harrojmë që edhe qëndrimi përpara kompjuterit përmban rreziqe. Kur rri gjithë ditën ulur përpara tij, rrezikon të pësosh lëndim nga një tendosje e tej zgjatur. Një herë, okulisti më tha se dëmtimi në sy, që shkoi në infektim, më ishte shkaktuar për shkak të qëndrimit gjatë përpara ekranit. Me sa duket, i pulisim më shpesh sytë kur jemi përpara ekranit.

Pra, meqenëse shëndeti fizik dhe ai mendor janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, a nuk mund të themi se vlen e njëjta gjë edhe për gjendjen tonë mendore, në raport me botën moderne? A nuk mundet që aspekte të ndryshme, që përcaktojnë mënyrën tonë të të jetuarit në këtë epokë, të jenë përgjegjëse për mënyrën se si ndihemi në këtë botë moderne?

Nuk u referohem vetëm gjërave që qarkullojnë në epokën moderne, por edhe vlerave e parimeve të saj. Vlera që na bëjnë të duam më shumë nga sa kemi. Të adhurojmë punën, në vend të lojës. Të krahasojmë pjesët tona më të këqija me pjesët më të mira të njerëzve të tjerë e të ndihemi vazhdimisht sikur na mungon diçka.

E teksa ditët kalonin dhe unë fillova të ndihesha më mirë, më lindën disa ide rreth një libri – për këtë libër që ke tani në duar.

Kam shkruar mbi shëndetin tim mendor te libri “Arsye për të qenë i gjallë”. Po pyetja nuk ishte: Përse duhet të vazhdoj të jetoj? Kësaj radhe pyetja ishte pak më e gjerë: Si mund të jetojmë pa u çmendur në një botë që është e çmendur?

 

You are here: Te rritur Shënime mbi një planet nervoz